Reagim në lidhje me vendimin e UEFA-së

Reagim

Pas vendimit të djeshëm të komisionit hetues të UEFA-s lidhur me incidentet në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ku fitorja i është dhënë kombëtares serbe dhe ku federata shqiptare është dënuar me një gjobë të konsiderueshme. VLERA : organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë shpreh indinjatën e saj të thellë lidhur me këtë vendim!

Jemi befasuar për keq nga mungesa e objektivitetit që ka treguar UEFA në këtë rast.
VLERA dënon ashpër dhunën dhe racizmin, prandaj joobjektiviteti i një organizate të madhe siç është UEFA na indinjon shumë. Aq më tepër kur ajo do duhej të tregonte qartë se dukuri të tilla nuk kanë vend në fushën e blertë!

Duke vënë në baraspeshë një banderolë me dhunën dhe racizimin e shfaqur në fushë , para dhe gjatë ndeshjes në Beograd, UEFA ka krijuar një precedent të rrezikshëm që i legjitimon këto dukuri dhe në këtë mënyrë jep shembull tejet të keq. Kjo bie plotësisht në kundërshtim edhe me vet vlerat që kjo organizatë mundohet t’i promovoj. Shembulli më i mirë për këtë është sllogani i tyre « Say no to racism », që në rastin konkret u tregua se është selektiv dhe pa përmbajtje.

UEFA i ka injoruar shumë fakte të dukshme që e përcollën këtë ndeshje. Së pari, ambienti jo mikpritës dhe tensioni që e kanë shoqëruar delegacionin shqiptarë gjatë qëndrimin të tyre në Beograd. Janë sulmuar vazhdimisht me gjësende të forta jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Provokimet dhe fyerjet e shumta nuk kanë munguar. Që prej stërvitjeve e deri në fund të ndeshjes, tifozët serbë kanë brohoritur parulla diskrimuese dhe raciste ndaj shqiptarëve. Duke filluar prej përdhosjes së himnit e deri tek brohoritjet rrënqethëse sikurse « vrite, prite, që shqiptarë të mos ketë » apo « vdekje shqiptarëve ». As banerat me përmbajtje politike nuk kanë munguar, mes të tjerash janë parë banera me mbishkrimin « Kosova është Serbi », një baner i madh me foton e kriminelit të luftës Vojislav Seselj, etj. Pos kësaj, është djegur edhe flamuri i NATO-s.

Përpos këtyre, UEFA ka injoruar krejtësisht dhunën e ushtruar jo vetëm nga tifozët serbë por edhe nga vetë agjentët e sigurimit ndaj lojtarëve dhe stafit të kombëtares shqiptare. Vlenë të theksohet edhe prezenca e Ivan Bogdanovit, person ky i cili nuk ka guxuar të jetë i pranishëm në stadion e që është tregues i qartë i keqorganizimit të ndeshjes.

Organizimi dhe mbarvajtja e ndeshjes janë përgjegjësi e nikoqirit e jo e mikut, prandaj Federata Shqiptare nuk mund të fajsohet për asgjë e aq me tepër kur asaj nuk iu lejua të kishte asnjë tifoz në stadion! Lojtarët tanë u sulmuan dhe u lënduan në mënyrë fizike e psikologjike! Si ka mundësi që gjithë këto nuk janë vënë re nga zyrtarët e UEFA-s?

Ne vlersojmë që ky vendim i njëanshëm duhet të rishikohet urgjentisht, jo vetëm për hirë të drejtësisë por edhe të vet sportit i cili ka dalur humbësi më i madh në këtë mes.

VLERA : organizata e studentëve shqiptarë në Belgjikë,

BRUKSEL, 26 tetor 2014.

Leave a Reply